“Vera e fundit” për hajdutin e turistëve. Bëri namin në Sarandë, 19 vjedhje në 2 sezone verore
Një 45 vjeçar nga Rrogozhina ishte kthyer në makth për turistët dhe banorët e Sarandës. Gjatë dy sezoneve të fundit turistike, Ai dyshohet se kreu 19 vjedhje në banesa e hotele ku mori bizhuteri dhe para.
Për dy sezone verore ishte kthyer në makth për pushuesit dhe banorët e Sarandës, kryesisht në zonën Turizëm-Kanali i Çukës.
Kishte arritur të hyjë dhe të vjedhë në shtëpi e hotele, ku kishte marrë para e sende me vlerë.
Dy muajt e fundit policia ishte vënë në alarm dhe kishte pamje të tij, por nuk kishte mundur ta identifikonte.
Hajduti që po bënte kërdinë në qytetin turistik u kap në orët e para të së shtunës në atë që do të konsiderohej si vjedhja e fundit e këtij sezoni turistik.
U identifikua si Ben Sula, 45 vjeç banor i Sinaballaj, të Rrogozhinës.
Verifikimet treguan se ishte i dënuar më parë në Itali dhe në Greqi, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Policia e Sarandës thotë se 45 vjeçari dyshohet se gjatë sezonit turistik veror të vitit 2021 dhe të këtij viti ka kryer 19 vjedhje.
Ben Sula sipas policisë ka vjedhur në dhoma hotelesh dhe në banesa të ndryshme, në të cilat qëndronin kryesisht pushues, bizhuteri të ndryshme, aparate celulare, si dhe rreth 500 000 lekë, 11 000 euro dhe 1 000 dollarë.
Në dëshminë e parë në Polici, 45 vjeçari mësohet të këtë deklaruar se vidhte pasi kishte borxhe.
“Vidhja dhe ikja, paguaja borxhet dhe kthehesha sërish” mësohet të ketë deklaruar ai.
45 vjeçari kishte arritur ti shpëtonte policisë për dy vite, pasi nuk linte gjurmë gjatë vjedhjeve, i ndihmuar kjo nga fakti se vepronte i vetëm.
Tashmë ai do të përballet me drejtësinë për veprën penalë të vjedhjes së kryer më shumë se një herë.
