Tiranë, kapet me steka cigaresh të kontrabanduara, prangoset 48-vjeçari

Policia e Tiranës ka ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e krimit ekonomik.  

Gjatë këtij operacioni është kapur duke transportuar steka me cigare, të dyshuara të kontrabanduara dhe është arrestuar në flagrancë 48-vjeçari.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi:  A. S., 48 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.” - njofton policia. 

Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin A. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, steka me paketa cigaresh, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.