Kriminelët mbrohen me policë, Fishta: Shqetësuese, mashtrohen nga pagesa e lartë
Një numër i konsiderueshëm efektivësh të policisë janë arrestuar vitet e fundit për bashkëpunim me personat e kërkuar, transportim droge apo mosveprim ndaj parcelave me kanabis. Fenomeni bëhet edhe më shqetësues për shkak të ndërprerjes së vettingut në radhët e uniformave blu. Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, i cilëson shqetësuese rastet e fundit, ndërsa shton se bandat ofrojnë pagesa të larta për korruptimin e punonjësve të policisë.
Arrestimi i Jeton Lamit, efektivit të Policisë së Forcave Operacionale me dyshimet se ka ndihmuar të kërkuarin Ervis Martinaj me dhënie të informacioneve apo në transportimin e tij në disa qytete, tregoi edhe një herë fenomenin e inkriminimit të punonjësve të strukturave të rendit me grupet kriminale.
Një fenomen i tillë pranohet edhe nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, i cili thotë se grupet kriminale paguajnë oficerë policisë që nga specialistët e zonës dhe deri tek ato të Forcave Speciale, të cilët si detyre kanë arrestimin e shumë të kërkuarve dhe jo mbrojtjen e tyre.
"Te krimet, forcat e posaçme, forcat speciale.Na kanë ndodhur disa raste dhe te RENEA".
Ky fenomen është ndeshur shpesh vitet e fundit, qoftë me efektivat që transportojnë drogë, ata që shpërdorojnë detyrën, shesin informacione apo që paguhen nga kultivuesit e parcelave me kanabis.
Mekanizmi i krijuar për pastrimin e radhëve të policisë përmes vettingut, tashmë ka dështuar pasi procesi është ndërprerë zyrtarisht pas vettingut ndaj një numri prej më pak se 70 punonjësish.
Prej muajit mars, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit nuk ka shpallur asnjë vendim.
Kreu i Sindikatës, Sadetin Fishta, thotë se nuk mund të ketë vetting për efektivët e nivelit zbatues pasi procesi kërkon kohë.
"Është e pamundur të kontrollohen përmes vettingut edhe me struktura të posaçne 7 mijë punojës policie të nivelit zbatues."
Kjo përfshirje e këtyre punonjësve bëhet për shkak të pagesës pasi këto grupe ofrojnë shuma të majme që tejkalojnë pagat e efektivave.
"Pagesa duhet të jetë tepër e lartë për të kompromentuar një punonjës, siç ndodhi me atë punonjësin që u kap me armët, tregtinë e armëve, të strukturave speciale. Ashtu dhe ky tjetri që u kap. Kjo e tregon se krimi nuk e kursen lekun për të kompromentuar sa më shumë punonjës policie."
Vetëm në pak muaj shumë efektivë policisë duke filluar nga grada me e ulët e deri tek ato të forcave RENEA janë arrestuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore për implikim në aktivitet të paligjshëm.
Hetimet kanë zbuluar se disa prej të arrestuarve kishin lidhje të ngushta me persona, të cilët njihen si kontigjent kriminal.
