Rruga “Arben Lami” pothuajse e pakalueshme, ankohen banorët, hesht bashkia Tiranë

Në rrugën Arben Lami, infrastruktura është tërësisht e dëmtuar. Banorët kanë ngritur shqetësimin pranë institucioneve përkatëse, por nuk kanë marrë zgjidhje.

Ky aks prej jo më shumë se 1 kilometër është pothuajse i pakalueshëm. Si një nyjë lidhëse mes Shkozës dhe rrugës së Dajtit qarkullimi mbetet i lartë.

Por për shkak të rrjetit të dobët të kanalizimeve rruga është amortizuar.

Banorët që jetojnë këtu thonë se kanë bërë kërkesë pranë UKT-së për të zhbllokuar pusetat të cilat sipas tyre janë arsyeja kryesore pse përgjatë gjithë vitit ky aks mbulohet nga uji, i cili u hyn edhe në banesa.

Por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Kam shkuar 4 herë, por thonë do projekt, por të paktën të rregullojnë pusetat që të ikë uji.”

Të tjerë thonë se nuk mund të përdorin as makinat.

“Nuk marrim dot as makinat se i thyem në mes.”

Problematikë mbetet më së shumti për trafikun ku automjetet bllokohen këtu vazhdimisht.

“Jo vetëm dëmtohet makina, por bllokohet edhe trafiku.”

Me gjithë shqetësimin që ngrenë qytetarët, instancat të pashqetësuara nuk kanë reaguar por u thonë qytetarëve se për rregullimin e rrugës duhet të presin planet e Bashkisë.