"4 vjet burg e deportim nëse shkoni në Angli" Policë shqiptarë në pikën hyrëse të Mbretërisë së Bashkuar
Efektiva të policisë shqiptare do të vendosen në kufirin britanik për të identifikuar shpejt dhe kthyer në Shqipëri emigrantët e paligjshëm nga vendi ynë. Sekretarja e Brendshme Britanike ka diskutuar të martën me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë për marrjen e masave shtesë kundër këtij fenomeni si dhe të një fushate ndërgjegjësimi ku paralajmërohen se kush tenton të futet ilegalisht në Britani rrezikon 4 vjet burg ose dëbimin.
Oficerët e policisë shqiptare do të vendosen në Dover për të ndihmuar në identifikimin dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria. Kjo është pjesë e një masë reagimi e vendosur së fundi mes autoriteteve shqiptare dhe britanike pas rritjes së numrit të klandestinëve nga Shqipëria drejt Anglisë.
Gazeta britanike "The Telegraph" shkruan se sekretarja e Brendshme Priti Patel, ka rënë dakord për një plan veprimi me homologun e saj shqiptar Bledi Çuçi, pasi shërbimet e inteligjencës sugjerojnë se shqiptarët përbëjnë midis 40 dhe 60 për qind të emigrantëve që kalojnë Kanalin me varka të vogla.
Për shkak të kësaj situate, Zonja Patel zhvilloi bisedime me ministrin e brendshëm shqiptar, të martën e kësaj jave për të gjetur mënyra se si mund të përshpejtohet deportimi i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë sipas një marrëveshjeje kthimi që u nënshkrua mes dy vendeve vitin e kaluar.
Zyrtarët britanikë kanë thënë se falë bashkëpunimit me Shqipërinë, do të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përshpejtuar largimet e shqiptarëve të paligjshëm nga Mbretëria e Bashkuar. Ministri Bledi Çuçi i ka thënë sekretares së brendshme britanike se Shqipëria “dekurajoi” praktika të tilla të paligjshme dhe të rrezikshme nga emigrantët, duke shtuar se ai kishte diskutuar gjithashtu me homologen britanike zgjidhjet “afatmesme” për rrugët e migrimit legal për profesionistët e kualifikuar dhe punëtorët e tjerë.
Oficerët e lartë të policisë shqiptare pritet të vendosen në Dover dhe portet e tjera për të ndihmuar në identifikimin e shqiptarëve, për të hetuar prejardhjen e tyre duke përfshirë lidhjet kriminale dhe për të ndihmuar Forcat Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar me qëllim që klandestinët e kapur të kthehen në Shqipëri brenda disa ditësh.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 6,000 nga 23,000 emigrantë të paligjshëm që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar janë nga Shqipëria.
E hëna e kësaj jave shënoi një rekord ditor prej 1,295 migrantësh që kaluan Kanalin duke hyrë në Britaninë e madhe. Autoritetet britanike kanë thënë se do të nisin një fushatë reklamuese për të paralajmëruar emigrantët në gjuhën e tyre se do të përballen deri në katër vjet burg dhe deportim nëse hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.



