Florian Marku takon Ramën dhe premton fitore në betejën për WBC Silver
Ditë sportive e marta për Kryeministrin, Edi Rama që menjëherë pas pritjes që i bëri kampiones së Europës, Luiza Gega, u takua edhe me kampionin, Florian Marku. Pak më shumë se 48 orë nga përballja e datës 25 gusht në “Arenën Kombëtare” me meksikanin Miguel Parros për titullin WBC Silver, Marku vizitoi zyrën e shefit të qeverisë, i cili shkruan:
“I nderuar nga vizita e një tjetër ylli të sportit shqiptar, superstarit të ringut Florian Marku, që pasnesër, të enjten 25 gusht, synon në Air Albania Arena gjerdanin e madh të kampionit të kategorisë sipërore WBC, në një ndeshje për historinë e boksit botëror”.
Ndërkohë, sot Marku foli përpara mediave ku premtoi fitore për të bërë krenarë shqiptarët ashtu si Luiza Gega pak ditë më parë.
“Jam shumë i lumtur që kthehem në Shqipëri pas 4 vitesh e gjysmë. Iu premtoj që do jap shpirtin për fitoren e radhës. Që të humb në Air Albania kundërshtari duhet të më hedhë në k.o dhe të më nxjerrë me barrelë nga ringu se ndryshe nuk e pranoj humbjen”.
Boksieri shqiptar, Florian Marku fitoi një vit më parë për herë të parë titullin kampion bote në IBF.
