Tirana si "supermarket", shet edhe Ardit Tolin. Do të luajë në Ukrainën e bunkerizuar

Nuk ndalet "hemorragjia" në skuadrën e Orges Sheshit që brenda dy ditësh humbet një titullar tjetër. Ardit Toli merr të njëjtin avion si Taulant Seferi për t'u bashkuar me Vorskla Poltava ku pak javë më parë kampionët shitën edhe Ennur Totre.

3 titullarë të larguar me destinacion ekipin ukrainas nga shitja e të cilëve presidenti Refik Halili do të përfitojë rreth 1 milionë euro ku pjesën e "luanit" e ka sigurisht golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar. Kampionati ukrainas ka nisur ditën e sotme në kushte ekstreme pasi në çdo stadium do të luhet pa tifozë për shkak të pushtimit rus.

Rreth 50 metra larg komplekseve janë ndërtuar baza strehimi më rast bombardimi ndërsa futboll do të luhet kryesisht në pjesën perëndimore të lumit Dnjepër. Federata e Futbollit dhe qeveria këmbëngulën për rikthimin e kampionatit për të dhënë mesazhin e rikthimit në normalitet pavarësisht luftimeve të ashpra në lindje të vendit.