Incidenti tek Uzina Ushtarake e Gramshit/ Ministria e Mbrojtjes: U ndaluan dy shtetas rusë dhe një ukrainas

Në ora 22:12 minuta Ministria e Mbrojtjes shpërndau informacionin e parë zyrtar lidhur me incidentin e ndodhur  mbrëmjen e sotme (20 gusht 2022)  në Uzinën ushtarake në Gramsh.

Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë" informoi ministrja e Mbrojtjes.

Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë në një informacion të dytë të shpërndarë rreth orës 23:00 ministrja e Mbrojtjes ndërtoi dinamikën e ngjarjes e cila u mësua se kishte ndodhur rreth orës 17:40 minuta.

"Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë.

Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi  ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, Mikhail Zorin., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.

Shërbimet e Policisë  bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse  Svetlana Timofoeva. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur"

Dy nga 3 shtetasit e ndaluar jane: Svetlana Timofoeva 33 vjec dhe Mikhail Zorin 24 vjec. te dy shtetas ruse. I ndaluar dhe F.A, 25 vjeç ukrainas. 

Ushtaret shqiptare te plagosur jane Ardian Xhaka Aldi Bici. 

Ngjarja ishte regjistruar rreth orës 17:40 minuta por u mësua nga mediat disa orë më vonë, rreth orës 21:00 te 20 gushtit 2022.

 

(Shenim: Lajmi i perditesua me informacionin e perditesuar te sjelle nga ministria e mbrojtjes)