Arrestohen kultivuesit e kanabisit/ 34 vjeçari në Fier “mat” duke vaditur bimët. Dy në pranga në Shkodër

Tre të rinj u arrestuan në Fier e Shkodër për kultivim të bimëve narkotike. 7 persona të tjerë janë ende në kërkim për të dy rastet e veprimtarisë kriminale.

Kontrolli me dronë nga ajri zbuloi një parcelë droge në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kreshpan të Fierit!

Për gati dy javë u mbajt nën monitorim për të zbuluar kultivuesit!

Kur policia ndërhyri kapi 34 vjeçarin Endri Meçaj, banor i fshatit duke vaditur bimët narkotike të dyshuara kanabis sativa që po kultivoheshin aty.

Hetimet zbuluan se parcelën e drogës ai e ka ngritur në bashkëpunim me kushëririn e tij Bution Meçaj, i cili u shpall në kërkim.

Ndërkohë policia e Shkodrës, arrestoi dy vëllezër të dyshuar të si pjesë e një grupi që kultivonte e përpunonte bimë narkotike në fshatin Vallas.

Në pranga janë vënë Samet dhe Izmir Dahati, përkatësisht 34 dhe 26 vjec, duke e cuar në 8 numrin e të arrestuarve në total. 6 të tjerë janë ende në kërkim,

Në 20 qershor, policia e Shkodrës zbuloi një parcelë me bimë narkotike dhe sekuestroi 246 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në banesën e 28 vjecarit Ardjan Tahirit, që ishte kthyer në magazinë.

Burimet thonë se Admir Selgjekaj, 34 vjeç nga Bajza e Malësisë së Madhe është i dyshuar si organizator i kultivimit të drogës dhe rekrutues I punëtorëve të Hashashit.

Punëtorë hashashi dyshohet se rekrutonte edhe Arian Popa, 38 vjeç, banorë i Shirokës.

12 personat e tjerë, mes të cilëve edhe dy gra sipas hetimit kishin role të ndryshme në veprimtarinë e kultivimit të kanabisit dhe më pas shitjen e drogës.