Ministria e Shëndetësisë: Dy ushtarakët e lënduar në uzinë janë në gjendje të stabilizuar, pa probleme akute të helmimit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se dy ushtarakët e lënduar në Uzinën e Gramshit janë në gjendje të stabilizuar në Pavionin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas njoftimit ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit.
Sipas burimeve që i referohet gazetari i Ora News, Elton Qyno, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës në 18:30, (20 Gusht) në hyrjen kryesore të uzinës ushtarake në Gramsh, ndërkohë Ministrja e Mbrojtjes nuk ka dhënë kohën kur ka ndodhur
Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët shqiptarë të cilët janë spërkatur me spray paralizues.
Ata aktualisht ndodhen te QSUT, ndërsa shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet. Sakaq Prokuroria e Antiterrori kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.