Plotë turistë dhe plehra/ Bashkia Sarandë edhe këtë vit nuk garantoi pastërtinë e kërkuar
Bashkia e Sarandës, edhe këtë vit dështoi për të garantuar pastërtinë e kërkuar në qytetin tashmë të mbushur nga mijëra e mijëra turistë. Të huajt thonë se problemet me pastrimin u kanë bërë përshtypje në qytetet turistike shqiptare.
Kontejnerë të mbushur plotë dhe mbetje të shpërndara në rrugë. Këto pamje vijnë nga Saranda këto ditë gushti në mes të sezonit turistik.
Ditën apo natën, nuk ka ndryshim. Problematikë e njëjtë nga qendra në Periferi.
“Ka gjëra të thyera ngado, shishe, cigare, mendoj se kjo nuk është një gjë fortë e mirë për turizmin. Vendet e tjera si Greqia dhe Italia, janë më të pastra mendoj. Ne në Hungari nuk kemi mbeturina kështu, jemi më të pastër."
Bashkia e Sarandës dhe kompania e kontraktuar edhe këtë vit dështuan për të garantuar pastërtinë e kërkuar në një qytet që pret mijëra e mijëra turistë.
“Jam nga Polonia, mendoj se ky qytet është mesatarisht i pastër në krahasim me qytetet e tjera që kam vizituar në Shqipëri, por mendoj se duhet të ishte më i pastër.”
Kontejnerët e mbeturinave janë të paktë dhe të pamjaftueshëm për grumbullimin e mbetjeve urbane që prodhohen për shkak të shtimit të banorëve.
“Vlorë- Sarandë, eci dhe shoh vetëm kanoçe.”
Saranda vuan problematikën e menaxhimit të mbetjeve urbane gjatë gjithë vitin, por në verë situata shkon në prag të krizës.
