Aktivisti: Shqipëria po kthehet vetëm në një shesh ndërtimi, s’ofron asgjë tjetër

Aktivisti Florian Haçkaj, duke folur për problematikat në vend është shprehur se Shqipëria po kthehet në shesh ndërtimi.

Në një intervistë për RTV Ora, me gazetaren Kostana Morava, Haçkaj është shprehur se ndërtimet që po bëhen janë pastrim parash, ndërsa ka shtuar se Shqipëria po ndjek shembullin më të keq, përsa i përket turizmit apo dhe pronave.

Florian Haçkaj: Unë gjykoj se problemi më i madh këtu është se duhet të punojnë familjet, me veten e vet, me fëmijët e tyre  dhe pastaj këto me rrethin e tyre e vetëm kështu mund të ngremë një shoqëri të shëndoshë. Mbi këtë pastaj vjen shteti që me gjoba e me kontrolle të mban në binarë.

Me këtë zbrazje që ka Shqipëria, me gjithë ato prona të begata në jug. Unë flas me pronarët e biznesit në jug që thonë vetëm një muaj kemi punë, e më pas ata ‘i bien’ konsumatorit. Këta po e kthejnë Shqipërinë në një shesh ndërtimi dhe prapë janë vetëm vila, pra nuk ka një hoteleri që të thuash se do të ketë hotele, e për 5 muaj kamarierët do të kenë punë të sigurtë. Kjo është totalisht pastrim parash, se në fund të fundit kush do i blejë këto vila? Ne po ndjekim shembullin më të keq.