4 milionë euro për projektin "fantazëm" , Si u prezantua në 3 D Përroi i Leshniqes dhe si është në realitet

Marrin paratë dhe nuk realizojne projektet. Në Qerret të Kavajës zona për të cilën firma "Vëllezërit Hysa" fitoi 4 milionë euro nga FSHZH për një plan ambicioz transformimi, sot është  shndërruar në kenetë. Përroi që parashikohej në projekt të ishte i lundrueshëm sot është kthyer në vendgrumbullimi mbeturinash dhe ka mbetur veç një kanal infeksionesh. Ky është realiteti dhe projekti 3D i ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi.

Në Shqipëri janë të shumta projekte që prezantohen, marrin fondet, por nuk mbyllen kurrë.

Në Qerret të Kavajës, në vitin 2016 ish-kryetari i bashkisë Elvis Rroshi dhe qeveria prezantuan një projekt që do të ndryshonte këtë zonë, por kur kanë kaluar 6 vite realiteti është krejt ndryshe me atë çfare ishte paraqitur në videon 3D të prezantimit të projektit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ia besoi ndërtimin, kompanisë “Vëllezërit Hysa”, e cila mori paratë e planit ambicioz që synonte kthimin në kanal të lundrueshëm të përroit të Leshniqes në Qerret të Kavajës.

Por në realitet asgjë nuk përputhet me projektin. Ajo që gjetëm atje ishte uji i ndotur dhe barishtet përreth.

Në të nuk mungojnë inertet si dhe mbeturinat e konsumit të përditshëm, duke e kthyer atë në një kanal të ujërave të zeza.

Ura është gati në të thyer me disa dërrasa. Fëmijët sidomos duhet të kenë kujdes kur kalojnë.

Ky projekt u ka kushtuar taksapaguesve 4 milione euro por ata thonë se pavarësisht premtimeve zona nuk ndryshoi për mirë, madje u përkeqësua gjendja.

"Pati mbaruar ai me të veten, ishalla do ta rregullojnë, do ta heqin erën e keqe. Të gjithë ankohen nga era e keq, nuk rrihet në shtëpi."

"Ka shkuar bari në brez, derdhen të gjithë ujërat e zeza."

Rruga është tjetër shqetësim.

"E shkatërruan rrugën."

Situata aty mbetet tejet shqetësuese, por ajo që vihet re është mosveprimi i institucioneve për të vënë para përgjegjësisë ata që gënjyen për projektin dhe ata që nuk po bëjnë asgjë për të ndryshuar gjendjen.