Në Shkodër s'ka as zjarrfikës, as fonde. Pushteti nuk jep para

Dhjetëra hektarë sipërfaqe janë djegur në vendin tonë këtë vit. Zjarret kanë përfshirë edhe territorin e Shkodrës, atje ku mugojnë stafet e zjarrëfikësve dhe qeveria dhe pushteti vendor nuk akordon fonde të mjaftueshme per rritjen e kapaciteteve.

Muaji gusht ka nisur me një numër rekord të rasteve të zjarreve në territorin e bashkisë Shkodër.

Vetëm në 10 ditët e para të tij janë shënuar 55 raste, ku vatra më shqetësuese ka qënë ajo e Berdicës dhe Vilzës, që fatmirësisht u shuan pa dëme në njerëz dhe vetëm me një banesë të braktisur që pësoi djegie të pjesshme.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Vatrat e zjarrit kanë qenë të mëdha, sidomos në disa njësi administrative të bashkisë Shkodër. Theksoj se terreni ka qenë shumë i vështirë, por me ndihmën e banorëve dhe ne kemi ndërhyrë në ato vatra zjarri ku qëllimi kryesor ka qenë shpëtimi i banesave.

Nga ana jonë janë shpëtuar të gjtiha banesat e rrezikuara nga vatrat e mëdha të zjarrit. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit kemi më shumë zjarre," tha Bashkim Ramaj,  shef i sektorit të ndërhyrjes, MZSH Shkodër.

Në gjithë këtë situatë të përballjes me zjarret që në pjesën dërrmuese të tyre rezultojnë të kenë qenë të qëllimshëm, për shërbimin zjarrfikës Shkodër sfida më e madhe ka qenë ajo e ndërhyrjes në disa vatra përnjëherësh.

Kjo për shkak se numri i efektivëve është shumë herë më i ulët sesa e parashikon ligji ndërsa Qeveria shqiptare vijon të mos akordojë financa për rritjen e kapaciteteve.

"Në bazë të ligjit 152, Neni 7, pika 5 theksohet se një zjarrfikës mbulon 1500 deri në 2000 banorë. Aktualisht numri i popullsisë në bashkinë Shkodër është rreth 204 mijë banorë.

Pra ne duhet të kishim rreth 100 zjarrfikës. Ne po punojmë me një kapacitet prej 28% të zjarrfikësve," tha ai.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së mërkurë dhe paradites së enjte në vend janë raportuar 14 vatra zjarri nga të cilat 4 vijojnë të jenë aktive, përkatësisht në Malin e Bardhë në Kurbin, në fshatin Sojnik dhe Tunjë të Gramshit, dhe në fshatin Niçë të  Pogradecit.