Familja humbi djalin e dytë në lumë, 14 vjeçari mbytet në Seman. Kishte shkuar për të peshkuar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Suk të Roskovecit. Një 14 vjeçar është mbytur në lumin seman, pasi ai kishte hyrë për të peshkuar. Trupi i të miturit u gjet rreth 24 orë pasi ai hyri në lumë për të mos dalë më.
Pasioni për peshkimin i mori jetën 14-vjeçarit E.S në fshatin Suk 1 në Roskovec.
I riu kishte hyrë paraditen e së mërkurës për të nxjerrë grepat në Lumin Seman, por nuk kishte dalë më nga aty.
Fatkeqësisht familjarët e tij e kuptuan vetëm pasdite, se 14 vjeçari ishte zhdukur, pasi i vëllai gjeti rrobat në breg të lumit.
"Dje e lashë në gjumë. Pasi e mora vesh që s'ishte kthyer dola mbasdite. Gjeta vetëm rrobat…Këtu vinte gjithmonë kur peshkonim. Vinte dhe vetë ndonjëherë…" tha ai.
Menjëherë të gjithë fshatarët nisën operacionin e kërkim shpëtimit, që zgjati gjithë natën, por pa asnjë rezultat.
Në ndihmë të banorëve shkuan edhe polumbarët e RENEAS, ndërsa pas disa orësh kërkimi trupi i pajetë i 14 vjeçarit u gjet në lumë rreth orës 10:40 të së enjtes.
Vdekja e 14 vjeçarit ishte tragjedia e radhës në familjen Saka, pasi një tjetër djalë i kësaj familje ishte mbytur në të njëjtën mënyrë 10 vite më parë, ndërsa kjo familje ndodhet në kushte të vështira ekonomike.
"Janë një familje me shumë probleme ekonomike. Edhe shtëpinë bashkia ja bëri sepse nuk janë në gjendje ekonomike shumë të mirë. Është një dhimbje shumë e madhe për atë nënë," tha një banore.


