Nga Lezha në Korçë me mina me telekomandë, policia i zë pritë në Pogradec, video e operacionit
Policia publikon videon e ndalimit të 35 vjeçarit nga Lezha i cili kishte udhëtuar drejt Korçës me tre mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.
Pavlin Cupi është ndaluar në makinë dhe menjëherë i janë vënë prangat, për të vijuar më pas me kontrollin e mjetit.
Policia e Korçës informoi sot (11 gusht 2022) se kishte informacione" në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin në veprimtari kriminale në qytetin e Korçës'
Ndalimi i Cupit ëstë bërë në vendin e quajtur "Enkelana", në Pogradec.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip "Mercedes-Benz", që ky shtetas drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.

Kjo është faza e dytë e operacionit policor të koduar "Remote" të nisur 6 muaj më parë dhe zhvillua pas një pune hetimore disajavore, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Deri tani janë 2 të arrestuar dhe 6 mina të sekuestruara gjatë të dy fazave të operacionit.
Më 21 shkurt 2022 u arrestua 64 vjeçari Ilir Burbuqi ndërsa u sekuestruan gjithashtu dhe tre mina me telekomandë të lidhura me celularë.
35 vjeçari banues në fshatin Rrilë, Lezhë është arrestuar për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Trafikimi i armëve dhe i municionit".
