Në shtator hapet gara për prokurorë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar rregulloren për ngritjen në detyrë të prokurorëve, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë plotësimit të vakancave në prokuroritë e Apelit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë hap rrugën për rekrutimin prokurorëve të rinj në Apel dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Në rregulloren e miratuar së fundmi për ngritjen në detyrë të prokurorëve, KLP bën me dije se në shtator hapet gara për plotësimin e vakancave.
Prokurorët nuk aplikonin dot për t’u ngritur në detyrë për shkak të mungesës së rregullores, ndërkohë që për shkak të dorëheqjeve dhe vettingut ka shumë vende bosh në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Apel.
Rregullorja në fjalë ka hyrë në fuqi këtë të mërkurë me botimin e saj në fletoren zyrtare.
Qëllimi i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i kritereve, parimeve, subjekteve dhe procedurave për ngritjen në detyrë të prokurorëve në shkallët më të larta në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Në rregullore thuhet se ngritja në detyrë në shkallët më të larta, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kryhet bazuar në parimet e pavarësisë, procesit të rregullt ligjor, meritokracisë, promovimit, zhvillimit të karrierës, efikasitetit, si dhe konfidencialitetit.
Procedura e ngritjes në detyrë të prokurorëve është e përcaktuar në detaje në këtë rregullore, një procedurë me 3 faza që nis me momentin e shpalljes së procedurës deri në vendimin e komisionit të posaçëm.
