"Nuk shihen më malet e Tiranës nga betoni", Meta: Do shemb tiraninë e Ramës
Në takimin e parë me strukturat dhe përfaqësuesit e Partisë së Lirisë të Tiranës, Ilir Meta tha se kryeqyteti do të jetë i pari që do ngrihet kundër tiranisë së betonit. Ai nuk i kurseu akuzat ndaj Edi ramës dhe Erion Veliajt të cilët i cilësoi si pushtues të papërgjegjshëm dhe mizorë që e nisën karrierën me 20% në Tiranë dhe tani kanë kaluar me 500-600% në Shqipëri. Shkatërrimin që sekti i Rilindjes siç e quan Meta i ka bërë trashëgimisë së qytetit nuk ja ka bërë asnjë pushtues. Ai risolli në vëmendje Tiranën kur ai ishte kryeministër dhe Rama kryebashkiak i Tiranës, i cili sipas Metës i vinte nga pas si xhol.
Takimin e parë me strukturat e partisë së re Ilir Meta e nisi me akuza ndaj Edi Ramës për betonizimin e Tiranës.
"Gjysma e Tiranës këtej nuk e shikon më malin e Dajtit dhe gjysma e Tiranës andej nuk i shikojnë më kodrat e Saukut, ku partizanët qëlluan me top asamblenë tradhtare. Nuk shikohet më".
Ai tha se për gllabërimin e hapësirave të gjelbërta Tirana do të marrë hak me ligjet e vetë Ramës.
"Në mes të ditës do ta ketë, me të qeshur, me të ngjeshur. Me drejtësi dhe ligj do t'ja bëjmë ne atij."
Meta akuzoi kryeministrin për lidhje me oligarkët dhe e bëri përgjegjës për varfërinë e mijëra familjeve shqiptare.
"Ai tjetri që nuk paguante energjinë, ku ta paguante me një dollar në ditë, i dha fund jetës. Ama këta oligarkët, shokët e këtij, superhajdutët, këta bëjnë çfarë të duan."
Kryetari i Partisë së Lirisë tha se do ti japë fund qeverisë së Ramës që e cilësoi tirani.
"Jam këtu të mbaj premtimet dhe premtimi im është që siç shemba në emër të ligjit, të së ardhmes së Tiranës gjithë ato kioskat e gjithë të fortëve të Tiranës te parku "Rinia" përfshirë tutorët e Edit, kështu do të shembi, i pari unë, dhe të gjithë ju dhe 1 milion qytetarë të Tiranës këtë kalbësirë regjim".
Madje paralajmëroi aksione të forta politike në shtator.
"Si çun i Pazarit të Ri që jam unë dua ti them çunit të Kristaqit meqenëse sot është dhe dita e përkujtimit të poetit të lirisë Havzi Nela që unë i bie më të fortit, nuk merrem me të dobëtit. Ky nuk është më i forti por bën që ti trembë njerëzit. Unë i bie më të fortit dhe e këpus në mes. Ti duket ai Erioni i Kolonjës gjigant kur të bjerë atje".
Nga përfaqësuesit e Partisë së Lirisë kërkoi angazhim për denoncimin e gjithë fenomeneve negative që shqetësojnë qytetarët shqiptarë.
