Gjurmë virusi në ujë, fëmijët e Londrës do të marrin dozën përforcuese kundër poliomelitit

Të gjithë fëmijëve të moshës 1-9 vjeç në Londër do t'u ofrohet një dozë përforcuese e vaksinës së poliomielitit pasi u zbuluan më shumë gjurmë virusi në kanalizimet e kryeqytetit.

Virusi është gjetur 116 herë në ujërat e zeza të Londrës që nga shkurti.

Megjithatë, nuk ka asnjë infeksion të konfirmuar.

Rasti i fundit i poliomielitit në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mund të shkaktojë paralizë, ishte në vitin 1984, ndërsa Evropa u shpall e lirë nga virusi në vitin 2003.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar tha se analizat gjenetike të mostrave sugjerojnë se përhapja e virusit "ka shkuar përtej një rrjeti të ngushtë të disa individëve", ndërsa "disa" mostra kanë ndryshuar mjaftueshëm për të qenë të rrezikshëm.

Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) tha se rreziku për publikun mbetet i ulët, por rekomandoi një dozë përforcuese të vaksinës së poliomielitit të inaktivizuar për fëmijët e moshës 1-9 vjeç në Londër.

Fushata synon të zvogëlojë mundësinë që fëmijët të infektohen nga virusi dhe të rrisë nivelet e imunitetit për të parandaluar përhapjen e tij.

"Vaksinat ofrojnë mbrojtjen më të mirë për fëmijët dhe ata përreth tyre, kështu që unë do t'i inkurajoja familjet të sigurojnë se janë të përditësuar me vaksinat e tyre rutinë dhe të paraqiten për përforcuesin e poliomielitit sapo të kontaktohen," tha Sekretari i Shëndetësisë Steve Barclay të mërkurën.

Sipas këshillës së JCVI, autoritetet do të fillojnë "me bashkitë më të prekura, kështu që ne mund të sigurojmë që ata të kenë mbrojtjen më të mirë të mundshme dhe të reduktojmë shanset e transmetimit," shtoi ai.