Kievi: Rusia planifikon të ndajë centralin bërthamor nga Ukraina dhe ta lidhë atë me Krimenë

Forcat ruse, të cilat kanë pushtuar termocentralin bërthamor të Zaporozhye në Ukrainën juglindore, po përgatiten ta bashkojnë atë me Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014 dhe po e dëmtojnë qëllimisht, duke devijuar prodhimin e energjisë elektrike, ka paralajmëruar agjencia shtetërore bërthamore e Ukrainës, Energoatom.

Zaporozhye është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, dhe Rusia e pushtoi atë në fillim të pushtimit të Ukrainës.

Presidenti i Energoatom, Petro Kotin i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Rusia dëshiron të lidhë centralin me rrjetin e saj, një proces teknikisht i vështirë në të cilin centrali shkëputet nga sistemi ukrainas përpara se të lidhet gradualisht me atë rus.

“Ata po planifikojnë të dëmtojnë të gjitha linjat nga termocentrali bërthamor i Zaporozhye. Pas kësaj, ai nuk do të lidhet me sistemin elektrik të Ukrainës”, tha Kotin.

"Ushtria ruse e pranishme në termocentralin bërthamor të Zaporozhye po zbaton programin [operatori rus] Rosatom që synon lidhjen e centralit me rrjetin elektrik të Krimesë," i tha ai televizionit ukrainas dhe agjencisë së lajmeve Interfax.

“Për ta bërë këtë, së pari duhet të dëmtoni linjat e energjisë të centralit të lidhura me sistemin energjetik të Ukrainës. Nga 7 deri më 9 gusht, rusët tashmë kanë dëmtuar tre linja transmetimi. Aktualisht fabrika funksionon vetëm me një linjë prodhimi, që është një mënyrë pune jashtëzakonisht e rrezikshme”, tha Kotin.