“Dosjet mbahen të mbyllur për të mbajtur peng njëri-tjetrin”, Beqa: Procesi i dekomunistizimit të vendit është përmbyllur më 1997

Studiues i Marrëshënieve Ndërkombëtare Mentor Beqa, gjatë një interviste për RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth mundësisë për hapjen e dosjeve të sigurimit.
Sipas studiuesit Beqa mbajtja e këtyre dosjeve të mbyllura nuk ka sens më, më shumë mbahet për të mbajtur peng njëri tjetrin.
 
Mentor Beqa: Problemi është pse pas viteve 90 nuk morëm masa për të pastruar këtë shoqëri dhe për ta distancuar nga e keqja. Është kjo klasë politike që doli si produkt i partisë së punës që nuk ka bërë asgjë për të krijuar një ndërgjegje kolektive që distancohet nga regjimi komunist. Kemi qëndresë për të mos hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit. Mbajtja e këtyre dosjeve të mbyllura nuk ka sens më, më shumë mbahet për të mbajtur peng njëri tjetrin. Problemi është tek ata persona që janë të lidhur me nomenklaturën e sistemit komunist dhe sot drejtojnë politikën. Hapja e dosjeve nuk ka rëndësi kur të bëhet çështja është a ndihmon në fatet e vendit. Këtu nuk është bërë asgjë për të edukuar qytetrin që e shkuara nuk duhet të tolerohet më.

Sakaq sa i përket kontributit të PD lidhur me këtë çështje ai u shpreh se dhe vetë PD ka përgjegjësinë e saj në atë periudhë se dhe vetë procesin e dekomunistizimit donte ta zhvillonte në terma përjashtuese.
Beqa tha se është e qartë që ka një keqpërdorim të agjencive shtetërore sipas interesave të momentit.
 
Mentor Beqa: Ne kemi një të djathtë sa për konvencion nuk kemi një të djathë që të ketë udhëhequr politika vërtet të djathta. Dhe vetë PD ka përgjegjësinë e saj në atë periudhë se dhe vetë procesin e dekomunistizimit donte ta zhvillonte në terma përjashtuese. Procesi i dekomunistizimit të vendit është përmbyllur më 1997. Ndjeshmëria që ka shoqëria ndaj një çështje të tillë sot është e ulët. Nëse ne nuk arrijmë të dënojmë krimet e komunizmit, dhe ata që kanë qenë përgjegjës të mos kenë fjalë në drejtimin e  vendi do të jemi peng i së shkuarës.

"Me dosjen e pretenduar të zotit Meta të lind pyetja pse tani? Që ka një keqpërdorim të agjencive shtetërore sipas interesave të momentit është e qartë. Kjo qeveri nuk ka dhënë kontribut në nxjerrjen jashtë agjencive shtetërore të personave të implikuar me regjimin komunist", tha Beqa.