Meloni distancohet nga fashizmi, liderja e të djathtës ekstreme: I përket historisë, e kemi dënuar
Liderja e të djathtës ekstreme në Itali, Giorgia Meloni, e cila kryeson në sondazhe një muaj përpara se të mbahen zgjedhjet parlamentare u ka dërguar një mesazh ndërkombëtarëve të majtë, të cilët e shohin 45-vjeçaren si një rrezik për Italinë dhe marrëdhëniet e Romës me Perëndimin.
Një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, liderja e Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni, e cila është favorite për të fituar ka shpërndarë një mesazh që synon ndërkombëtarët perëndimorë.
Liderja e së djathtës ekstreme i ka quajtur marrëzi komentet e atyre që pretendojnë se me ardhjen e saj në pushtet Italia do të dilte nga zona euro.
Meloni: Kam lexuar se fitorja e Fratelli d'Italia në zgjedhjet e shtatorit do të përbënte një katastrofë, që do ta çonte vendin drejt autoritarizmit, largimin e Italisë nga euro dhe marrëzi të tjera si këto, asnjë gjë nuk është e vërtetë.
Si për të treguar vizionin e saj pro-perëndimor Meloni ka dënuar edhe njëherë sulmin rus ndaj Ukrainës dhe mundësinë e lidhjeve të reja të Romës me ndërkombëtarët.
Meloni: Qëndrimi ynë në fushën perëndimore është i pastër si kristali, siç kemi treguar edhe një herë duke dënuar agresionin brutal të Rusisë kundër Ukrainës dhe duke ndihmuar, nga të qenit në opozitë, për të forcuar pozicionin e Italisë në forumet evropiane dhe ndërkombëtare.
Simboli i partisë që ajo drejton përmban një ikonë të huazuar nga një parti neo-fashiste italiane, për të cilën kritikët thonë se Meloni nuk ka qenë e qartë për denoncimin e të kaluarës së fashizmit në Itali.
Por të mërkurën ajo e ka mohuar këtë.
Meloni: E djathta italiane e ka dorëzuar fashizmin në histori prej dekadash, duke dënuar pa mëdyshje shtypjen e demokracisë dhe ligjeve poshtëruese anti-hebraike.
Fratelli d’Italia, të cilën Meloni e themeloi në 2012-ën është një forcë politike pasardhëse e Lëvizjes Sociale Italiane e formuar nga mbështetësit e Benito Musolinit pas Luftës së Dytë Botërore.
Partia e saj ishte e vetmja nga forcat e mëdha politike që nuk iu bashkua qeverisë së unitetit kombëtar të formuar nga kryeministri Mario Draghi në shkurt 2021.
Pas rënies së Draghit muajin e kaluar, Meloni ka rënë dakord për të formuar një koalicion qeverisës me Forza Italia të udhëhequr nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi dhe kreu i partisë Liga Matteo Salvini.
Meloni thekson vlerat e saj të krishtera dhe familjare, mbështet më shumë shpenzime për mbrojtjen, taksa më të ulëta dhe fundin e emigracionit masiv.

