FBI i bastisi vilën në Florida, Trump: Biden ishte në dijeni. I kujton skandalet e të birit
Donald Trump bën me faj presidentin Biden se ai kishte dijeni të plotë për mësymjen e FBI-së në Shtëpinë e tij në Florida, duke i kujtuar rastin e djalit të tij të përfshirë në skandale. Republikanët zotohen se do ta hetojnë rastin e bastisjes së shtëpisë së tij për të cilën thonë se është e motivuar politikisht.
Ish-presidenti Trump ka akuzuar Shtëpinë e Bardhë se ishte në dijeni të mësymjes të rezidencës së tij duke i përmendur skandalet e djalit të tij.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale Truth social dhe Telegram, ish-presidenti ka shkruar se ‘Biden dinte gjithçka rreth kësaj, siç ai dinte gjithçka për marrëveshjet e Hunterit’.
Disa javë më parë, disa medie bënë publike disa video kur djali i presidentit Biden, Hunteri shfaqej duke marrë kokainë, si dhe disa pamje të papërshtatshme me disa gra.
Djali i Presidentit Joe Biden e dërgoi laptopin e tij në një servis kompjuterësh në përpjekje për të rikuperuar skedarë të dëmtuar nga uji.
Pronari i dyqanit gjeti në laptopin e tij video të papërshtatshme dhe dokumente që lidheshin me disa afera të djalit të presidentit në Ukrainë.
Ai më pas ia dorëzoi atë autoriteteve të cilat i akuzoi për njëanshmëri pasi FBI mësyu në shtëpinë e Trump.
Pronari i dyqanit në një reagim të fundit tha se FBI duhet të kishte bastisur shtëpinë e Hunterit përpara se të shkonte te Trump.
Ndërkohë Shtëpia e Bardhë e ka mohuar që ka pasur dijeni për kontrollet e Departamentit të Drejtësisë në Shtëpinë e Trump.
Sinkron Shtëpia e Bardhë: Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë mësuan për operacionin e FBI-së nga mediet, nuk kishim njoftim paraprak. Departamenti i Drejtësisë i kryen hetimet në mënyrë të pavarur.
Senatorët dhe ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e republikanëve e kanë dënuar mësymjen e FBI-së në shtëpinë e Trumpit në Florida duke u zotuar se do të hetojnë politizimin e Departamentit të Drejtësisë kur të rimarrin kontrollin e Kongresit.
Një grup i madh agjentësh të FBI-së mësynë në shtëpinë e ish-presidentit dhe hynë në kasafortën e tij, kërkimi thuhet se lidhej me një hetim për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trump.
Republikani tha se një sulm i tillë mund të ndodhë vetëm në vende të botës së tretë.

