Fadromat copëtojnë parkun tek ish Fusha e Aviacionit, banorët: Po të urren populli o Erion Veliaj!

Betonizimi i bashkisë Tiranë nuk kanë të ndalur edhe në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, aty ku këtë herë po ndërhyhet për të zhdukur edhe parkun e dytë më te madh në kryeqytet. Përveç mungesës së tabelave informuese të projektit, ka munguar edhe konsultimi me banorët, të cilët kanë dalë në protestë për të kundërshtuar këtë vendim.

Në mes te parkut të dytë më të madh e më të frekuentuar në Tiranë, në ish-Fushën e Aviacionit, fadromat kanë filluar punimet këtë të mërkurë për hapjen e një rruge, e cila do të lidhë këtë zonë me Laprakën.

Në terren nuk ka asnjë sinjalistikë ose tabelë që tregon se në këtë zonë do të kryhen punime.

Asnjë lajmërim për banorët. Të indinjuar nga ky vendim i Kryebashkiakut ata kanë dalë në protestë.

“Shoku Erion Veliaj mos të ka ardhur radha të bësh ndonjë tender tjetër të fitosh dhe ndonjë lekë.Jo i dashur, ky popull ty do të të varë një ditë. Është e pafalshme çfarë po bën.”

Parku, sipas tyre funksionon për një komunitet të gjerë, duke përfshirë jo vetëm banorët e kësaj zone, por edhe ata të lagjeve Astir, Laprakë dhe 21 dhjetori.

“Fusha e Aviacionit nuk frekuentohet vetëm nga këto banorë , unë vij nga Lapraka pothuajse çdo ditë këtu. Sot ata janë duke e shkatërruar.”

Kërkojnë që punimet të ndërpriten dhe të gjendet një mënyrë alternative, pasi kjo zonë me ndërtimin e rrugës nuk do të jetë më njësoj e sigurt.

“Askush nuk është njoftuar, ka mundësira dhe hapësira të tjera.”

Ky park nisi të ndërtohej në vitin 2017 dhe më pas u trumbetua inagurimi i tij në prag të zgjedhjeve të 2020-tës. Për banorët konsiderohet zhgënjyese.