Shëngjin, rrezikuan të mbyteshin në det, shpëtohen nga policia 3 fëmijë dhe një i rritur
Katër pushues ( 3 prej tyre të mitur) që rrezikuan të mbyteshin në det, pasi ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg bregut dhe nuk po ktheheshin dot në breg janë shpëtuar nga policia.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar në det, rreth 1.2 milje larg bregut, dy fëmijë të mitur, me komardare, që kishin mbetur në det të hapur dhe nuk ktheheshin dot në breg. Ata i kanë shpëtuar dhe i kanë nxjerrë në breg, në gjëndje të mirë shëndetësore, 2 fëmijët (12 dhe 13 vjeç), të cilët ishin larguar në det pa dijeninë e prindërve të tyre.
Gjithashtu, dy shtetas kosovarë (babai me djalin e mitur) rrezikonin të mbyteshin në det, pasi ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg bregut dhe nuk po ktheheshin dot në breg. Shtetasi F. L., 45 vjeç dhe djali i tij 10 vjeçar, janë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare duke i nxjerrë në breg, në gjëndje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare iu bën thirrje prindërve dhe familjarëve që të jenë më të kujdesshëm me fëmijët e tyre, të cilët mund të largohen në distancë të largët nga bregu, me ose pa mjete lundruese, duke e bërë të pamundur kthim e tyre në breg.

