Reagimet për Himarën, politika dënon ngjarjen e rëndë në bregdet
7-vjeçarja, Joanda Bledar Avdia, humbi jetën në plazhin e Himarës si pasojë e goditjes nga skafi i cili drejtohet nga efektivi i lartë i policisë Arjan Tase, shef komisariati në Elbasan.
Ngjarjen e ka dënuar edhe Partia Demokratike, e cila e ka cilësuar si një atentat të dyfishtë.
Klevis Balliu: Është një atentat i dyfishtë, për faktin se një njeri i paguar dhe graduar për të mbrojtur jetën e qytetarëve, e merr atë. Shefi i Komisariatit të Elbasanit Arjan Tase është përjashtuar nga radhët e Policisë nga drejtori i Përgjithshëm Nano, ndërkohë që kjo duhet të kishte ndodhur kohë më parë. Tase, sipas raportimeve meditaike, është arrestuar 2 vjet më parë, kur ishte shef i Policisë së Himarës, për bashkëpunim me trafikantët e drogës.
Një reagim i menjëhershëm erdhi edhe nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili e ka paralelizuar rastin me vrasjen e Klodian Rashës.
Ilir Meta: Për pandemi u vra Klodian Rasha, doli të blinte një paketë cigare. Këto ngjarje tregojne që shteti ka rënë. Kjo nuk është policia që duam, nuk është policia që do populli.
Përmes një postimi në tëiter ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Edi Rama: Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s'ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen. Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t'u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse.
Më tej kryeministri Rama akuzon opozitën se sërish ka reaguar për të përfituar nga kjo mundësi.
Edi Rama: Nuk mungoi as në këtë rast kafshëria politiko-mediatike e atyre që urojnë e presin veç fatkeqësi, për të ushqyer zjarrin e luftës së tyre politike të paudhë dhe të pashpresë.
Ndërkohë në kryeqytet, dhjetëra qytetarë ndezën qirinj në nder të 5-vjeçares, tek shkallët e Kryeministrisë.
