“Të ndryshohet reforma territoriale”, banorët e fshatit Vodicë: Jemi afër Beratit, pasaportën e marrim në Poliçan
Banorët e fshatit Vodicë në Poliçan, kërkojnë që të kalojnë nën juridiksionin e Bashkisë Berat. Ata shprehen se Beratin e kanë vetëm 8 kilometra larg, por për të marrë shërbimet në qeverisjen vendore detyrohen që të udhëtojnë 50 kilometra në Poliçan.
Vetëm 8 km larg qytetit të Beratit, por fshati Vodicë ndodhet nën juridiksionin e bashkisë Poliçan.
Ky fshat u shkëput nga bashkia e Beratit pas miratimit të Reformës Territoriale në 2014, edhe pse ndodhet shumë afër Beratit.
Kjo gjë po i penalizon prej vitesh banorët e këtij fshati,të cilët kanë bërë një kërkesë në Prefekturën e Qarkut Berat, për shkëputjen nga bashkia e Poliçanit.
"Është shumë larg. Për çdo hall shkojmë në Berat."
Banorët shprehen se për të nxjerrë një pasaportë apo dokumenta të tjera në zyrat e shtetit, atyre u duhet të udhëtojnë dhjetëra kilometra për të shkuar në Poliçan dhe Skrapar.
"7 kilometra është Berati, 40 Skrapari."
"Berati 7 km, edhe me biçikletë shkon dhe merr diçka dhe nuk ke vonesa."
Kostot ekonomike janë të papërballueshme për ta, ndaj nuk dihet nëse kërkesa e tyre do të merret parasysh nga institucionet vendore atje.
"Për një pasaportë të shkosh në Skrapar taksia do 50-100 mijë lekë. Unë 100 mijë lekë marr pension, ku më del mua?"
Së fundmi në vendin tonë është hapur debati për një reformë të re territoriale, ndërsa për herë të fundit njësitë vendore në vendin tonë janë rindarë në 2014.

