Kumbulla, Fiorentina dhe Torino në garë por Roma po reflekton
Në orët e fundit është folur për një interesim nga Torino dhe Fiorentinës për mbrojtësin shqiptar të Romës, Marash Kumbulla, i transferuar nga Hellas Verona në verën e vitit 2020 për 30 milionë euro.
Lojtari kuqezi gjithsesi, nuk e dëshiron largimin nga kryeqyteti dhe sipas asaj që raporton faqja e specializuar “Romagiallorossa.it”, burime pranë lojtarit tregojnë se ai nuk e ka vullnetin për t'u larguar nga klubi verdhekuq dhe nuk ka pasur kontakte konkrete me dy klubet në fjalë.
Edhe Roma, nga ana e saj nuk ka shfaqur interes për ta larguar lojtarin pasi Josè Mourinho beson në cilësitë e shtatlartit. Për momentin, Fiorentina ka bërë një ofertë jo shumë bindëse duke i propozuar Romës huazimin e mbrojtësit, ndërsa në Piemonte, Torino beson se mund ta shkëpusë nga verdhekuqtë me një shumë të rëndësishme në tryezë pasi paratë janë pas shitjes së Bremer te Juventusi për rreth 40 milionë euro.
Në këtë mënyrë, e ardhmja e mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare, mbetet e hapur deri në ditën e fundit të merkatos italiane pasi jo çdo gjë varet nga dëshirat që 21-vjeçari ka.
