Greqia “shpëton” Dropullin, shmanget rreziku pas 24 orëve “luftë” me flakët nga ajri e toka
Dy avionë dhe dy helikopterë të ardhur nga Greqia shpëtuan disa fshatra të bashkisë së Dropullit nga rreziku i zjarreve që u shfaqën në zonë të shtunën. Ndërhyrja vijon për shmangur avancimin e flakëve drejt Parkut të Syrit të Kaltër dhe Delvinës në anën tjetër.
Pas gati 24 orëve luftë me flakët nga ajri dhe toka zjarret në bashkinë Dropull u vunë nën kontroll.
Vendimtare ishte ndërhyrja me dy avionë dhe dy helikopterë të ardhur nga Greqia të cilët mësohet se kryen 24 operacione të hedhjes së ujit.
Përgjatë të shtunës, situata të rrezikshme u krijuan në fshatrat Fratar, Lugar, Terihat dhe Grapsh.
Flakët ishin aktive vetëm disa qindra metra larg banesave deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, kur avionët grekë u rikthyen sërish.
Ndërkohë forca zjarrfikesë nga i gjithë qarku ishin angazhuar në luftë me flakët nga toka.
Zjarri u vu nën kontroll, duke larguar në këtë mënyrë edhe rrezikun e përhapjes së flakëve në drejtim të Finiqit e parkut të Syrit të Kaltër.
Në orët e para të mëngjesit në zonën e Dropullit veproi dhe një helikopter i emergjencave civile shqiptare.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe demë në banesa, ndërsa përllogaritet se u dogjen rreth 30 hektarë pyje e 270 hektarë kullota.
Robert Hysenllari: Duke marrë në vlerësim situatën e krijuar në bashkinë Dropull është aktivizuar sistemi I aktivizimit të Mekanizmit te Mbrojtjes Civile te Bashkimit Evropian (ERCC), nga ku Greqia ka ofruar asistence nderkombetare me 2 avione per nderhyrje nga ajri.
Prej ditësh mbeten aktivë zjarri në Rehovë të Poliçanit, ku janë angazhuar edhe 50 efektivë të FA dhe në fshatin Bogë, bashkia Malësi e Madhe.
Robert Hysenllari: Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 11 vatra zjarri. Nga te cilat janë shuar 8 vatra zjarri dhe janë aktive 3 vatra zjarri.
Ndërsa orë pas ore nga veriu në jug shënohen vatra të reja zjaresh.
