Prej majit e bllokuar në portin e Durrësit, i hiqet sekuestro anijes ku u gjetën 60 kg kokainë, lirohet ekuipazhi
SPAK i ka hequr sekuestron anijes kolumbiane me qymyr në të cilën u gjetën 60 kg kokainë . Ajo qëndronte prej tre muajsh e bllokuar në portin e Durrësit.
I lirë është lënë dhe ekuipazhi prej 12 personash që qëndronte brenda saj, të cilët ishin me shtetësi e kombësi të ndryshme, përkatësisht 4 rus, 1 ukrainas dhe 7 filipinezë.
Kompania që kishte anijen në pronësi mësohet se kishte sjellë në vendin tonë një avokat të njohur gjerman.
Mjeti lundrues të kompanisë "Unistream", 32 metra e gjatë ishte nisur nga Barranquilla, një port në Kolumbi dhe mbërriti në Durrës pas lundrimit gati 20 ditor.
Ajo u vendos në Terminalin Lindor që shërben për ngarkim-shkarkimin e mineraleve mëngjesin e 16 majit dhe pas ndërhyrjes së policisë mes qymyrit u gjet një sasi prej gati 60 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.
