Rusia zbardh telefonatën e Lavrov me Blinken: Lufta do të përfundojë më shpejt nëse ndaloni së dërguari armë
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i tha sot Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken se Uashingtoni nuk po e përmbush premtimin e tij që dërgesat e ushqimit nga Rusia të përjashtohen nga sanksionet.
Ministria e Jashtme ruse deklaron gjithashtu se Lavrov i tha Blinken se Rusia do t'i arrijë të gjitha qëllimet e "operacionit të saj special ushtarak" në Ukrainë dhe se dërgesat e armëve perëndimore vetëm do ta zgjasin konfliktin.
Blinken tha për bisedën me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov se ai ishte i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë.
Kjo është hera e parë që të dy flasin që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
“Kam shtyrë Kremlinin të pranojë propozimin që kemi bërë për lirimin e Paul Whelan dhe Brittney Griner”, tha Blinken.
CNN raportoi më parë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shkëmbejnë tregtarin e dënuar rus të armëve Viktor Bout me një të burgosur amerikan.
Blinken tha gjithashtu se ata diskutuan marrëveshjen për tranzitin e sigurt të grurit ukrainas përmes Detit të Zi.
"Ne duam të shohim përparim sa më shpejt të jetë e mundur," tha Blinken.
Ai gjithashtu theksoi se "bota nuk do t'i njohë aneksimet" dhe se "do t'i imponojë kosto shtesë Rusisë nëse ajo fillon të zbatojë planet e saj".
