Ish-deputeti boshnjak dënohet me tre vite burg për korrupsion
Një gjykatë në Sarajevë ka dënuar Amir Zukiqin, ish-zyrtar i lartë i partisë në pushtet, me tre vjet burgim për korrupsion.
Sipas mediave të huaja, Zukiq, ish-deputet i shtetit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), parti e cila është aktualisht në pushtet, u shpall fajtor për ryshfet dhe përdorim të lidhjeve politike për t’u dhënë punë disa njerëzve në institucionet shtetërore në vitin 2016.
Departamenti amerikan i Shtetit në vitin 2020 ia ndaloi Zukiqit hyrjen në Shtetet e Bashkuara për, siç thuhet, përfshirje në korrupsion të rëndë, njoftojnë mediat e huaja.
Gjykata e Sarajevës dënoi më 29 korrik edhe katër persona të tjerë me burgim deri në gjashtë vite, ndërsa liroi të tjerë.
Gjykimi ishte pjesë e përpjekjeve të mbështetura nga Perëndimi për të frenuar korrupsionin në këtë vend ballkanik. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë kanë vendosur sanksione ndaj individëve që konsiderohen se minojnë sundimin e ligjit dhe stabilitetin në Ballkan.
