Arma e emigrantëve në zgjedhje, varkat po shtyhen drejt Italisë nga mercenarët Wagner
Kur kanë mbetur më pak se dy muaj nga zgjedhjet e 25 shtatorit, fushata elektorale në Itali po shfaqet çdo ditë e më e fortë.
Forcat kryesore politike ndërsa po tentojnë të linjëzojnë aleancat e tyre ndaj një bipolarizmi të qartë tashmë që vë përballë Partinë Demorkatike e Fratelli d'Italia, u duhet "të bëjnë llogaritë" e strategjisë elektorale dhe me debatet ndaj fakteve e skandaleve që mediat italiane po zbardhin çdo ditë.
Pas denoncimit të "La Stampa" se regjimi i Putin ka influencuar në rrëzimin e qeverisë Draghi, sot është një tjetër e përditshme italiane, "La Repubblica", e cila përcjell një tjetër informacion shqetësues.
Sipas saj, emigrantë klandestinë që përmes Mesdheut po mbërrijnë çdo orë e më shumë në brigjet italiane janë të shtyrë enkas për të destabilizuar e influencuar votën politike në Itali.
E përditshmja italiane informon se fluksi i emigrantëve ilegalë që përmes detit mbërrijnë në Itali e shumë më tepër se sa gjatë dy vitet e fundit, është i orientuar e i qëllimshëm.
Nën kontrollin e milicisë së gjeneralit Haftar në Libi e ndihmuar nga mercenarët rusë të Grupit Wagner në brigjet libianë janë aktivizuar dhe dy porte të pazakonta për nisjen e emigrantëve drejt Italisë.
Portet Derna e Tobruk që deri pak më parë kanë qënë të përfshira nga ky fenomen sot janë shndërruar në hub-e emigrantësh që menaxhohen nga trafikantët e qënieve njerëzore e në pritje për t'u nisur ilegalisht drejt Italisë.
Vetëm një natë më parë në 5 mjete lundruese të ndryshme kanë zbarkuar në brigjet italiane të Lampeduzës 192 emigrantë, ndërsa 600 të tjerë që qëndronin në hotspotin pranë portit e që kishin vënë në vështirësi sistemin e strehimit janë transferuar e shpërndarë në kampet e territorit.
Pak orë më parë ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese ka zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë së ishullit italian, Filippo Manino, me një fokus të veçantë të emergjencës së mbipopullimit të Lampeduzës gjatë orëve të fundit,
Vetëm gjatë muajti korrik 2022 në Itali kanë mbërritur rreth 40 mijë emigrantë klandestinë, ndërsa një vit më parë në korrik të 2021 numri i tyre ishte rreth 28 mijë e në korrik të 2020, 13 336 emigrantë.
Aludimet e medias italiane shkojnë dhe më tej duke e quajtur emigracionin klandestin "një top që shënjëzon fushatën elektorale në Itali e ndoshta arma më e fortë për ata që kanë interes të destabilizojnë votën e shtatorit."
"Pas rrëzimit të qeverisë Draghi, sinjalizon media italiane, fluksi i emigrantëve klandestinë drejt Italisë është hapur si rubinet uji e ai që mund të përfitojë duke e valëzuar si flamur përballë zgjedhësve se "po pushtohemi nga emigrantët", do të jetë para të gjithëve Salvini.
Fushata sapo ka nisur por ajo çka përceptohet ditë pas dite është se e djathta italiane është vënë në shënjestër nga mediat italiane.

