Zyla: Koncerti i PS-së aspak i ekzagjeruar, kemi akoma shumë punë për tu anëtarësuar në BE

I ftuar në RTV Ora, analisti Julian Zyla u shpreh se nuk e sheh si gjë të keqe koncertin që po mbahet në sheshin “Skënderbej” në kuadër të hapjeve të negociatave.

Sipas tij, në raport me hapjen e negociatave ka shumë punë për tu bërë në këtë aspekt deri në anëtarësimin e plotë në BE.

Zyla: Një koncert që bëjmë zakonisht për festa të tjera, nuk më duket aspak i ekzagjeruar që të ketë një koncert për negociatat. Bëhet fjalë për një PS që ka shumicën absolute të bashkive, nuk besoj se forca politike tregohet me një koncert. Negociatat janë fillim i bisedimeve që na çojnë drejt anëtarësimit. Kemi shumë punë për të bërë, por fakti që e prisnim prej shumë kohësh uljen me BE-në, është një moment i rëndësishëm dhe ne kemi aftësinë dhe vullnetin politik për të bërë çdo gjë që është e nevojshme kur të vijë momenti për t’iu bashkuar BE-së.

Vendi ynë nuk ka më detyrime për hapjen e negociatave, por kemi detyrime për tu bërë anëtarë, që veç sa kanë filluar. Kjo është një mundësi si për opozitën ashtu edhe për mazhorancën që kjo nuk është një tortë që kush merr më shumë fiton, por është një mundësi dhe një sinergji që duke u bërë bashkë të gjithë dalin të fituar.

Zyla shtoi se është i rëndësishëm partneriteti me SHBA-të, sepse falë mbështetjes së tyre jemi anëtarë të NATO-s, ashtu sikurse do të donte sot të ishte Ukraina.

Zyla: Duke pasur parasysh Ukrainën na bën të kuptojmë se sa i rëndësishëm është partneriteti me SHBA-të, sepse falë mbështetjes së tyre jemi anëtarë të NATO-s, ashtu sikurse do të donte sot të ishte Ukraina. NATO mbron çdo pjesë të territorit të NATO-s. Jo gjithmonë historia e vendit tonë ka qenë kaq e thjeshtë gjeo-politikisht. Kjo është një nga arsyet pse është kaq i rëndësishëm ky partneritet.