Kohë lamtumire/ Vettel do të largohet nga F1 në fund të sezonit

Sebastian Vettel do të tërhiqet nga sporti i F1 në fund të këtij sezoni. Siç e bën të ditur edhe vetë 4 herë kampioni i botës, ka ardhur momenti që në moshën 35-vjeçare ai të shkëputet përfundimisht nga sporti më spektakolar i garave të shpejtësisë.

Me 53 fitore në karrierë, Vettel është një nga pilotët më të sukseseshëm të dekadave të fundit. Pas vitit 2007 ai përjetoi momentet e arta me makinën Red Bull.

“Kam garuar shumë dhe jam kënaqur po kaq shumë. Ky është një vendim shumë i vështirë për mua. Sigurisht që ngrohja globale ka ndikuar në vendimin që unë kam marrë. Duke parë se ku po shkojmë, jam shumë i shqetësuar. F1 duhet të ndryshojë për të dhënë shembullin e saj sepse nuk ka sens që bëjmë një garë në Baku pastaj zhvendosemi në Kanada dhe vijmë prapë në Europë ndërkohë që mund të ndalojmë fillimisht në Miami”.  

Në prag të garës së Hungaroring ai ndalet më pas te vendimi i vështirë që ka marrë.

“Në fund të vitit dua të marr pak kohë për të menduar se çfarë do të bëj në të ardhmen. Pasi jam bërë baba, dua të kaloj më shumë kohë me familjen time. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë”.