Elbasan, shpërndante heroinë, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari

Është arrestua në flagrancë një 37-vjeçar i cili shpërndante heroinë në Elbasan.

Kapja e tij u bë falë operacionit policor të koduar "Share".

37 vjeçari me inicialet  E. K., banues në Elbasan, ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

“37 vjeçarit gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonte iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 4 aparate celulare, një peshore elektronike dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga veprimtaria kriminale”, njofton policia. 

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. R., 28 vjeç, banues në Elbasan.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale është edhe shtetasi i shpallur në kërkim E. R. Punohet për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.