Barcelona fiton “El Cásico”, Katalanasit mundën 1-0 Reali Madrid në një ndeshje ‘miqësore’

Barcelona fitoi sfidën e parë ndaj rivalëve të përjetshëm të Realit të Madridit, në këtë sezon të ri futbollistik. Edhe pse një ndeshje miqësore, tensionet mes lojtarëve të të dyja ekipeve nuk munguan.

Edhe pse një ndeshje miqësore, ‘El Clasico-ja’ e parë për këtë sezon mes Realit të Madridit dhe Barcelonës, përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultatin 1-0.

Sfida e luajtur në Allegiant Stadium në Nevada të Shteteve të Bashkuara, u prit me një interes të madh nga tifozët, sidomos e atyre të Barcelonës, pasi në fushën e lojës pritej të debutonte blerja më e re e katalanasve, Robert Lewandowski.

Ndeshja nisi menjëherë me disa raste shënimi nga të dyja skuadrat, por goli do të vinte në minutën e 27-t, kur braziliani Raphina, i transferuar së fundi në Barcelonë nga anglezët e Leeds, lëshoi një predhë nga jashtë zone, duke shënuar një gol fantastik.

Edhe pse një ndeshje miqësore, në këtë ‘El Clasico’ nuk munguan tensionet mes lojtarëve. Sfida do të ndizej, kur mbrojtësi Jordi Alba do të kryente një ndërhyrje ndaj sulmuesit të Real Madrid, Vinicius Junior, pranë zonës së rreptësisë, duke u ndëshkuar më pas me karton të verdhë nga gjyqtari. Kaq mjaftoi dhe lojtarët u përfshinë në një ‘sherr masiv’ me njëri-tjetrin.

Pjesa e dytë, edhe pse do të sillte mjaft raste për shënim nga të dyja ekipet, rezultati do të mbetej i pandryshuar.