Ylli i NBA shkatërron karrierën dhe rrezikon burgun për 6 vite

Nga Parajsa në Ferr. Miles Bridges, lojtari 24-vjeçar i Charlotte Hornets pritej të nënshkruante kontratën e re shumëvjeçare me 25 milionë dollarë në sezon por arrestimi në 29 qershor me akuzën e dhunës ndaj bashkëjetueses në sytë e fëmijëve, rrezikon t’i shkatërrojë karrierën.

Ylli i NBA shkatërron karrierën dhe rrezikon burgun për 6 vite

Charlotte duket se është tërhequr nga ideja për t’i ofruar rinovimin 5-vjeçar pasi lojtari i NBA rrezikon deri në 6 vite heqje lirie. Përpara gjykatës së Los Angeles lojtari e ka deklaruar veten të pafajshëm ndërsa do të dalë sërish përpara gjykatësit në datën 19 gusht.

Bridges mbylli një sezon ëndrrash si shënuesi më i mirë i Charlotte me 20 pikë mesatarisht për ndeshje ndërsa skuadrat e interesuara ishin disa. “Jemi të vetëdijshëm që akuzat në drejtim të tij janë serioze dhe ne do të vazhdojmë t’i monitorojmë. Nuk mund të bëjmë komente shtesë pasi çështja është në gjykim”, thekson Charlotte në një komunikatë të shkurtër, duke i mbyllur derën lojtarit të saj më të mirë.

Ndërkohë, e fejuara e Bridges ka publikuar në Instagram fotot me shenjat e dhunës së lojtarit dhe një kopje të raportit mjekësor që vërteton pretendimet e saj. Mjeku thekson se dëmtimet janë të shumta pasi bashkëjetuesi ka tentuar ta mbysë duke i shkaktuar një traumë në kokë dhe në hundë por edhe thyerje të brinjëve.