Papa Françesku drejt Kanadasë për t’iu kërkuar falje të mbijetuarve indigjenë të abuzimit nga Kisha Katolike

Papa Françesku i është drejtuar Kanadasë, me qëllim për t’iu kërkuar personalisht falje të mbijetuarve indigjenë të abuzimit, kryer dekada më parë në shkollat rezidenciale të drejtuara nga Kisha Katolike.

Kreu i 1.3 miliardë katolikëve në botë do të pritet në aeroportin ndërkombëtar të Edmontonit nga kryeministri kanadez Justin Trudeau pas fluturimit nga Roma të dielën e 24 Korrikut.

Vizita e Françeskut në Kanada - të cilën ai e ka quajtur një "pelegrinazh pendimi" të "shërimit dhe pajtimit" - është kryesisht për t'u kërkuar falje të mbijetuarve për rolin e Kishës, në kohën kur ndodhi skandali, i cilësuar dhe si “gjenocid kulturor".

Nga fundi i viteve 1800 deri në vitet 1990, qeveria e Kanadasë dërgoi rreth 150,000 fëmijë të Kombeve të Parë, Metis dhe Inuit në 139 shkolla rezidenciale të drejtuara nga Kisha, ku ata u shkëputën nga familjet, gjuha dhe kultura e tyre.

Shumë prej tyre u abuzuan fizikisht dhe seksualisht nga drejtorët dhe mësuesit. Mijëra fëmijë besohet se kanë vdekur nga sëmundjet, kequshqyerja ose neglizhenca.

Që nga maji I vitit 2021 më shumë se 1,300 varre të paregjistruara u zbuluan në vendet e ish shkollave.

Në muajin Prill një delegacion i popujve indigjenë udhëtoi në Vatikan , ku patën një takim me Papën, duke i paraprirë vizitës 6 ditore të tij që nis më 24 korrik.