“Pretendoi të bëhet lider rajonal e global, lidhi proceset fatalisht”, Berisha: Rama sponsorizoi fushatë kundër Gjykatës së Hagës

Ish kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim me gazetarët  tha se Rama lidhi Procesin e gjykatës dhe të gjykimit të Hagës dhe procesin e ndryshimit të kufijve.

Sipas Berishës Rama vetë sponsorizoi një fushatë kundër Gjykatës së Hagës dhe seancën e ditës së djeshme ku u votua rezoluta kundër raportit të Dicka Marty ishte e turpshme pasi doli një vasal mjeran i Vuçiç.

Sali Berisha: Duke pretenduar të bëhet lider rajonal e global ky lidhi proceset në mënyrë fatale. Procesin e gjykatës dhe të gjykimit të Hagës dhe procesin e ndryshimit të kufijve. Kjo është reale. Edi Rama vetë sponsorizoi një fushatë kundër Gjykatës së Hagës duke dëshmuar jo solidaritetin me udhëheqjen politike të Kosovës por vullnetin e keq për të fshehur nëse kishin ndodhur krime në një kohë kur Kosova e kishte votuar gjykatën. Kjo ndikoi në përshpejtimin e vendimeve që u morën për arrestimet sikur ishin në flagrancë të udhëheqësve politikë. Këto janë motivet që e shtynë Ramën në atë seancë të turpshme si e djeshmja por aty ai doli i vërtetë siç është një vasal mjeran i Vuçiç.

I pyetur se pse mungoi kur u votua rezoluta që dënon raportin e Dick Marty Berisha u shpreh se ishte pro rezolutës por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera.  

Sali Berisha: Për një arsye pune nuk isha dje por deklarova votën pro, thash që do të pranojmë dhe votojmë këtë rezolutë. Obligime të tjera nuk më lejuan të isha i pranishëm në momentin që u votua por vota ime ishte e llogaritur që ishte pro.