Hakerat, gjobë 30 mln euro Qeverisë?! Reagon Rama: Lajm i rremë, pas sulmit një shtet tjetër jo bandë digjitale
Sulmi kibernetik që ka nxjerrë jashtë funksioni databazën e shërbimeve shtetërore të Shqipërisë është kryer nga një shtet tjetër.
Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes disa postimeve në faqen e tij zyrtare në twitter thotë se kjo luftë elektronike nuk ka mbaruar dhe se pas saj nuk ndodhet një bandë dosido.
Edi Rama: Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!
Reagimi i Kryeministrit erdhi disa orë pas lajmeve të përhapura në media se autorët e sulmit kanë kërkuar 30 milion euro për të rikthyer databazën e shtetit shqiptar.
Këto pretendime Kryeministri i cilëson shpifje që përhapin panik në lidhje me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë.
Rama evidenton se AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve.
Nga ana tjetër një foto e siguruar nga media tregon një mesazh që po u shfaqet punonjësve shtetërorë shqiptarë në sistemin e brendshëm të AKSH-it pas sulmit.
Në këtë mesazh aludohet se sulmi mund të jetë kryer nga shteti i Iranit pasi në fund përmendet termi "terroristët e Durrësit", mesa duket duke ju referuar muxhahedinëve të strehuar nga qeveria shqiptare në bazën e Manzës në Durrës.
Sulmi kibernetik është bërë tashmë objekt hetimi edhe nga prokuroria e Tiranës për akuzën e ndërhyrjes së paligjshme në rrjetet kompjuterike.

