Balla: Nesër në Kuvend votohet rezoluta kundër Dick Marty-t, rezolutat e tjera më duken pa sens

Në një prononcim për gazetarët, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla bëri me dije se ditën e nesërme do të votohet në kuvend projekt-rezoluta për raportin e Dick Marty-t.

Ai tha se kjo rezolutë ka si synim që të rrëzojë pretendimet e tij për trafikun e organeve në Shqipëri dhe Kosovë, të ngritura 11 vite më parë.

Balla shtoi se rëndësia që ka heqja e një balte të hedhur padrejtësish kundër luftës së Kosovës është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë.

Balla: Nesër në rend ditë do të jetë një rezolutë e rëndësishme që rrallë herë i bie radha të diskutohet, mbi pabazueshmërinë e pretendimeve lidhur me trafikimin e organeve në Shqipëri dhe Kosovë, pretendime të ngritura 11 vite më parë. Pas më shumë se 11 vite ne propozuesit iniciojmë këtë rezolutë mbi bazën e proceseve të zhvilluara, ritheksoj se duhet nënvizuar fakti se kemi të bëjmë me një rast ku janë kryer verifikime.

Nesër çdo anëtar duhet të jetë në Kuvend do të ishte nder dhe nuk kemi nevojë për sherrnajë. Rëndësia që ka, heqja e një balte të hedhur padrejtësish kundër luftës së Kosovës është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë. Rezolutat e tjera më duken pa sens, ku 23 vite nga çlirimi ne t’i kthehemi edhe njëherë.