"Hap historik", Komiteti Mysliman i Shqipërisë: Lusim Zotin që sa më shpejt Shqipëria të bëhet anëtare e BE

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përshëndetur çeljen e negociatave me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar një hap historik për dy vendet por dhe mbarë rajonin.

Duke vlerësuar se kemi një barrë të rëndë përpara në plotësimin  e kushteve, ai uron që kjo të ndodhë sa më shpejt në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e BE.

Spahiu: Vizioni i paraardhësve të mi përgjatë një shekulli mëvetësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, hoxhallarëve e dijetarëve rilindas të fesë Islame ka qenë orientimi dhe vokacioni pro perëndimor i Shqipërisë. I tillë mbetet edhe për ne ky orientim. Çelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një hap historik për vendet tona dhe mbarë Rajonin.

Të gjithë aktorët dhe faktorët e ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, kanë një kontribut të çmuar në këtë arritje. E rëndë do të jetë pesha dhe përgjegjësia për të gjithë ne, veçanërisht klasën politike, për të plotësuar me rigorozitet kushtet për anëtarësim të plotë në BE.

Shpresojmë dhe i lutemi Zotit që kjo rrugë në të cilën sapo kemi hyrë të jetë sa më e shpejtë në përmbushjen e kritereve për të finalizuar plotësisht ëndrën kahershme, të qenit vend anëtarë me të drejta të plota i BE. Urime Shqipëri!