Rama i mohoi opozitës Brukselin, Bytyçi: Nëse vazhdon me këtë sjellje, negociatat mund të anulohen

Në ditën e shumëpritur prej vitesh për shqiptarët, kryeministri Rama la në stol rezervë opozitën, duke mos qenë pjesë e delegacionit në hapjen e negociatave në Bruksel.

Analisti, Enver Bytyçi, në një interevistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj tha se Rama konfirmoi se dëshiron të qëndrojë në pozitat e autokratit.

Për Bytyçin, vijimi i kësaj sjellje do ishte fatale për këtë proces, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e anulimit të negociataven ose zvarritjen  e procesit drejt anëtarësimit të plotë në pafundësi.

Bytyçi: Ftesa e munguar për opozitën për të qenë e pranishme sot në Bruksel dëshmoi se kryeministri i përbahet politikave të shkuara të vendimmarrjes në Shqipëri, dëshmoi se dëshiron të qëndrojë në pozitat e një autokrati dhe kleptokrati të spikatur të Europës lindore dhe juglindore. Ky akt dhe përgjigjia e tij fyese dhe injoruese për opozitën është një ogur i keq për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse do sillet si sot negociatat mund dhe të anulohen, kapitujt nuk do hapen për shqyrtim, vendet anëtare do vendosin veton kapitull pas kapitulli me qëllim që ta bllokojnë Shqipërinë në rrugën drejt BE. Bashkëpunimi me opozitën, konsensusi politik, vendimmarrja e përbashkët dhe sjellja mirëkuptuese midis palëve është kusht i domosdoshëm për të qenë anëtar i BE.

Hapja e negociatave do të thotë të shkosh drejt finishit në anëtarësim europian. Asnjë vend i BE që nga ato më autoritaret deri te ato më liberalet nuk do pranonin që një vend si Shqipëria me konflikt të thellë politik brenda vetes të bëhej anëtare e BE. Është e domosdoshme që qeveria shqiptare dhe sidomos kryeministri Rama të nxjerrin mësime, të reflektojnë dhe ti thonë jo atyre veprimeve absurde në sjelljet që kanë ndodhur në të shkuarën me opozitën shqiptare. Duhet të marrin fund përpjekjet e qeverisë për të emëruar opozitën, për të imponuar opozitën, për të fyer dhe denigruar opozitën.Nëse mazhoranca shpërfill, nëpërkëmb, fyen e ofendon opozitën do të thotë se vendi shkon drejt një autokracie dhe totalitarizmi të padiskutueshëm. A mundet një vend totalitar dhe autokrat të bëhet anëtar i BE? Kurrësesi jo.

Konferenca ndërqeveritare për analistin ishte një akt ceremonial më shumë pasi procesi nis me hapjen e kapitullit të parë.

Bytyçi: Sot është nisja, negociatat do të hapen në momentin që nis të diskutohet një kapitull që mund të zgjasin shumë në kohë ose pak në kohë. Kjo varet nga aftësitë e Shqipërisë për të implimentuar në vendin tonë një demokraci funksionale dhe liberale, për të ndërtuar shtetin juridik të së drejtës dhe për të performuar në të gjithë aspektet e tjera si marrëdhëniet rajonale, ndërkombëtare, në ekonomi, çështjet sociale, kulturore etj. Gjithçka çfarë duhet që ne të meritojmë emrin europian.

Ajo që ndodhi sot është një ogur i mirë, një sinjal që shqiptarët  të shpresojnë që ky vend mund të ndryshojë dhe bëhet i jetueshëm për ta. Gjithçka do varet nga mënyra si qeveriset Shqipëria. Nëse do vazhdojë të qeveriset si sot, qytetarët përsëri do zhgënjehen. Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet për të hapur negociatat. Kushtet e përcaktuara nga Bundestagu nuk janë plotësuar ende, madje janë në përkeqësim.

Shqiptarëve ju desh të prisnin 8 vite për ditën e sotme. Por sa të tjera do të duhet të presim për tu bërë vend anëtar me të drejta të plota në BE?

Bytyçi: Do varet nga plotësimi i kushteve por kryesore është vullneti politik. Politika shqiptare duhet të heqë dorë nga inatet pozitë-opozitë dhe të bllokojnë njëra-tjetrën. Opozita e dikurshme që sot është mazhorancë në Shqipëri e bllokoi integrimin për një kryetar qarku të Fierit. U bllokua më vonë për arsye të tjera, por sidomos për mosndërtimin e shtetit të së drejtës.

Me rëndësi është që dialogu dhe transparenca të zhvillohen mes shumicës dhe pakicës me qëllim që të shfrytëzojmë këtë kohë të cilën Europa e ka të dopmosdoshme për zgjerim me qëllim që të ercim drejt integrimit europian. Nëse nuk shfrytëzojmë këtë kohë mund të vijë një kohë tjetër paqeje dhe detante që do ta bëjë Euriopën të painteresuar për zgjerimin e saj dhe përsëri do të na duhen edhe vite, ndoshta dhe dekada të tjera për tu bërë anëtare të BE.