Shqipëria në nivelin e dytë, DASH-i publikon raportin mbi trafikun e qënieve njerëzore
Shqipëria mbetet në nivelin e dytë të vendeve në botë për trafikun e qënieve njerëzore. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, qeveria nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje.
Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin mbi trafikun e qënieve njerëzore për vitin 2022, që përfshin vlerësimet për rreth 190 vende të botës, ku edhe këtë vit Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen në nivelin e dytë.
Sipas raportit, qeveria shqiptare nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë.
Ajo demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë Covid-19 në kapacitetin e luftës së saj kundër trafikimit.
Këto përpjekje, thuhet më tej, përfshin hetimin e më shumë rasteve, ndjekjen penale dhe dënimin e shumë trafikantëve.
Policia e Shtetit, thuhet në raport, hetoi 61 raste me 27 të dyshuar, krahasuar me 31 raste me 32 të dyshuar në vitin 2020.
Prokuroria e Përgjithshme ndoqi penalisht 60 çështje me 19 të pandehur, krahasuar me dy çështje me 12 të pandehur në vitin 2020.
Gjykatat, vë re raporti, dënuan 11 trafikantë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me asnjë dënim në vitin 2020.
Raporti thekson se qeveria shqiptare rriti përpjekjet për mbrojtjen e viktimave.
Në raportin e këtij viti, i bëhet thirrje Shqipërisë që të punojë në hetimin e thellë, ndjekjen dhe dënimin e trafikantëve.
