“Mbylle se po na ndjekin…!” Telefonata e fundit e Vatës me motrën, tre të rinjtë pikasën makinën e vrasësve
Itinerari i lëvizjes së 3 viktimave të masakrës së Fushë Krujës u ndoq hap pas hapi nga vrasësit. Këta të fundit janë pikasur nga të rinjtë ndërsa po udhëtonin me makinë pak minuta para se ndaj tyre të shkreheshin armët. Një fakt i tillë është dokumentuar në bisedën e fundit telefonike të Dikler Vatës me të motrën.
Tre viktimat e masakrës së Fushë Krujës Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha e kishin vënë re që dikush po i ndiqte ndërsa ata po udhëtonin me automjetin e tyre pasditen e të dielës 17 korrik 2022.
Fakti është zbuluar nga një telefonatë e fundit e Diklen Vatës me të motrën së cilës i ka thënë të ndërpresë bisedën, pasi ishte një makinë e dyshimtë dhe po i ndiqte nga pas.
Nuk kanë kaluar shumë minuta nga mbyllja e kësaj telefonate dhe tre të rinjtë janë përballur paralelisht, pikërisht me automjetin që i ndiqte, nga i cili është qëlluar 90 herë, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi viktimave.
48 orë pas ngjarjes, prokuroria e Krujës ka urdhëruar kryerjen e dhjetëra kontrolleve në disa banesa dhe servise, ku besohet se kanë qëndruar autorët dhe viktimat.
Mësohet gjithashtu se tre personat janë survejuar nga afër nga njerëz të tjerë, të cilët më pas kanë njoftuar skuadrën e vrasësve me pagesë.
Sipas dëshmive të mbledhura, Briland Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, kanë qenë së bashku në zonën e Rinasit dhe më pas udhëtuan në drejtim të Fushë-Krujës,duke qëndruar në ambjentet e një restoranti.
Para se të shkonin te një servis në zonën e Tapizës, ku kishin çuar makinën për ta rregulluar, të rinjtë janë ulur në një restorant.
Pas drekës, ata kanë lënë makinën tek parkingu i restorantit dhe kanë shkuar te servisi me një makinë tjetër, shoqëruar nga një mik i tyre, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta.
Automjeti ende nuk ishte rregulluar dhe sërish janë kthyer te parkingu, duke marrë makinën tip “Passat” për tu larguar në Laç.
Të gjitha lëvizjet kanë qenë të monitoruara, deri në goditjen përfundimtare duke sjellë vrasjen e tre personave mbi urën e kryqëzimit të Fushë-Krujës.
Policia dhe prokuroria e Krujës, kanë ngritur shumë dyshime se skuadra e vrasësve me pagesë, është pikërisht në zonën e Fushë-Krujës dhe Laçit, ndaj dhe kërkimet janë përqëndruar pikërisht në këtë territor .
