Çelja e negociatave, Aliaj: Ishte politike, Gjermania do na japë dritën jeshile nëse plotësojmë kushtet

Pas 8 vitesh si vend kandidat, Shqipëria nisi zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, duke u bërë kështu vendi i 4 në Ballkanin Perëndimor që futet në këtë fazë.

Ndërkohë në lidhje me këtë, Ilir Aliaj, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se çelja e negociatave është politike, ndërsa ajo teknike do të zhvillohet kur të bien në dakordësi 27 shtetet.

Ilir Aliaj: Sot është bërë çelja politike, çelja teknike e negociatave do të zhvillohet  pas disa kohësh pasi do kemi një dakordësi të 27 shteteve për kornizën mbi të cilën do të zhvillohen këto negociata. Dita e sotme pa diskutim është një moment historik për Shqipërinë por kjo ditë e sotme është shoqëruar në media edhe me disa deklarata të cilat kanë sfumuar euforinë e kësaj dite, por që janë realiteti jonë dhe realiteti i procesit integrues të Shqipërisë.

Ai tha se pikërisht ditën e sotme, Gjermania i kujtoi Shqipërisë kushtet që duhet të plotësojë për të hyrë në BE.  Sipas tij vetëm nëse plotësohen kushtet, Gjermania do i hapë Shqipërisë dritën jeshile.

Ilir Aliaj: Sot dy personazhe shumë të rëndësishme të CDU-së kanë rikujtuar për Shqipërinë kriteret e vendosura nga Bundestagu gjerman. Gjermania nuk ka qenë asnjëherë kundra hapjes së negociatave të Shqipërisë, por procesi i vazhdimit të këtyre negociatave është kushtëzuar nga Gjermania me disa kushte që kanë të bëjnë me: Reformën zgjedhore, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Thellimi I Reformës në Drejtësi. Vetëm nëse ne plotësojmë këto kushte atëherë Gjermania do na hapë dritën jeshile për të vazhduar negociatat.

Më tej ai theksoi se: Jo vetëm që Gjermania ka vendosur këto kushte por kemi dhe metodologjinë e re franceze, e cila është për këtë qëllim, që negociatat të fillojnë, të stopohen dhe pastaj nëse plotësohen këto kushte do vazhdojnë.