Tirana e një mbi një pallateve, Musai: Qyteti bëhet për tu banuar jo për tu shitur, 1/4 apartamente i banuar

Sektori i ndërtimit ka lulëzuar në Tiranë. Doriana Musai, arkitekte, në një intervistë për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja thotë se sot kemi një kryeqytet që nuk po i shërben askujt pasi nuk ka kush ta banojë.

Musai: Motoja e kësaj bashkisë, sapo mori postin e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj në bashkëpunim me kryeministrin shqiptar ndërtoi atë që ishte plani i ri i Tiranës. Kishim një plan të miratuar në 2013 për vizionin e Tiranës së shekullit XXI, plan i cili u rrëzua nga administrata e re e 2015. Pa garë, pa konkurs merret një arkitekt italian, sillet në Shqipëri dhe i jepet atij të vizatojë, të dizenjojë fatin e kryeqytetit në 15 vitet në vazhdim. Plani kishte një moto: "Ndërtoje dhe ata do të vijnë". Veliaj korri gjithë çfarë Tirana kishte si asete të vetat si pasuri, identitet, kulturë dhe nga fillimi nisi të ndërtonte atë që ai mendonte se do të ishte qyteti që do të thërriste njerëzit dhe sot kemi një Tiranë njësoj si fushat e fantazmave të Kevin Costner, një Tiranë e cila nuk po i shërben askujt pasi nuk ka kush ta banojë Tiranën me 1,6 milion banorë.

Ajo u referohet shifrave kur thotë se sot vetëm 1/4 apartamente të ndërtuara është i banuar.

Musai: Qyteti bëhet për tu banuar jo për tu shitur. Nëse e konceptojmë thjesht si transaksione që vetëm qarkullohet para atëherë ne nuk po ndërtojmë qytet. Ky treg nuk i shërben qytetit, të mirës publike dhe zhvillimit. Nga pak shifra që kanë dalë publike bëhet fjalë që në 1/4 apartamente është i banuar në Tiranë. Në 5 vite, sipas INSTAT, 2017-2022 Tirana është rritur me 57 mijë banorë në rang qarku. Për këto do duheshin rreth 1 mln metra katrorë banim po ti llogarisim si familje. Ndërkohë vetëm 3 vitet e fundit, 2019-2022, kemi të ndërtuar 4 milion metra katrorë ndërtim. Kemi 3 apartamente bosh dhe 1 të banuar.

Nga ana tjetër zhvendosja e popullsisë drejt boshtit Tiranë-Durrës ka dhënë efektet e veta në qytetet e tjera të vendit.

Musai: Shqipëria në këtë moment, të gjitha këto qytete, qyteza, janë në depresion social prej kohësh, tani kanë depresionin e migrimit, po lëviz popullsia drejt qendrave, boshtit Tiranë-Durrës pasi ne kaluam nga një ekonomi e centralizuar në një centralizim të ekonomisë.