Turistët serb bllokohen në Valbonë, njëri humb jetën nga infarkti
Një turist nga Serbia raportohet se ka gjetur vdekjen në zonën e Valbonës ditën e shtunë teksa ishte duke eksploruar zonën.
Policia njoftoi se gjatë paradites së shtunë, Salla Operative e Tropojës ka marrë njoftim nga një turiste serbe, se në vendin e quajtur "Maja e grykave të hapura", në zonën e Valbonës, duke eksploruar zonën me një grup turistësh, njëri prej tyre, shtetasi G. S., kishte ndërruar jetë.
Sipas informacionit paraprak, dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e infarktit.
Menjëherë pas njoftimit, Shërbimet e Komisariatit të Tropojës, së bashku me ekipin mjekësor janë nisur drejt adresës së dhënë.
Për shkak të terrenit të thepisur, në zonën ku ndodhi ngjarja nuk është e mundur ulja e helikopterit, ndërkohë që në ndihmë të shërbimeve të Policisë Tropojë janë nisur edhe Forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve, nga vendi ku janë bllokuar.
Zona e alpeve e cila ka frekuentim të lartë në këtë periudhë është bërë javët e fundit problem për shkak të problemeve me turistët që janë bllokuar në terrene të thella malore duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e kërkim shpëtimit për ti nxjerrë nga rreziku.
