Meta mirëpret zhbllokimin e Shqipërisë për negociatat dhe përgëzon faktorin politik shqiptar në RMV

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përshëndeti miratimin e propozimit francez nga parlamenti maqedonas si dhe përgëzoi faktorin politik shqiptar duke nënvizuar se gjithmonë ai mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike.

"Përshëndes votimin pro-formulës Makron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona. Përgëzoj faktorin politik shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike" shkruan Meta në një postim në Facebook.

Pavarësisht se ky vendim i hap rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë, kreu i shtetit shqiptar thekson se “vendimmarrësit shqiptarë tashmë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kanë në drejtimin e politikave”.

"Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse" përfundon Meta.